Ndikimi i teknologjisë në komunikimin mes bashkëmoshatarëve
Ndikimet pozitive/negative tek adoleshentët
1/17/20262 min read
Në shoqërinë moderne, marrëdhëniet midis bashkëmoshatarëve janë ndikuar ndjeshëm nga zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale. Përmes platformave digjitale si Instagram, TikTok, Snapchat dhe YouTube, adoleshentët jo vetëm që komunikojnë më lehtë me njëri-tjetrin, por edhe ekspozohen vazhdimisht ndaj figurave publike dhe personazheve të famshëm, të cilët shpesh kthehen në idhuj dhe shërbejnë si modele sjelljeje.
Teknologjia ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin mes të rinjve. Për shembull, grupet në WhatsApp ose Instagram përdoren për organizimin e aktiviteteve shoqërore, bashkëpunimin për detyra shkollore dhe ndarjen e informacioneve të përditshme. Kjo formë komunikimi rrit ndjenjën e përkatësisë dhe forcon lidhjet shoqërore, veçanërisht kur bashkëmoshatarët nuk kanë mundësi të takohen shpesh fizikisht.
Megjithatë, komunikimi virtual shpesh zëvendëson atë ballë për ballë. Në shumë raste, adoleshentët kalojnë kohë së bashku fizikisht, por janë të përqendruar në telefonat e tyre, çka çon në dobësimin e dialogut real dhe në krijimin e marrëdhënieve sipërfaqësore.
Rrjetet sociale kanë rritur ndjeshëm ndikimin e personazheve të famshëm, si këngëtarë, aktorë, influencerë dhe sportistë, të cilët shpesh kthehen në idhuj nga adoleshentët. Ky proces njihet si idolizim, ku një figurë publike perceptohet si model ideal dhe imitohet në mënyrën e veshjes, të folurit, sjelljes dhe stilit të jetesës.
Për shembull, shumë adoleshentë imitojnë stilin e veshjes ose sjelljen e një influenceri të famshëm në TikTok apo Instagram, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si pranohen ose vlerësohen nga bashkëmoshatarët. Nxënësit që ndjekin trendet e fundit shpesh konsiderohen më “të përshtatur” në grup, ndërsa ata që nuk i ndjekin mund të ndihen të përjashtuar ose të nënvlerësuar.
Nga ana tjetër, personazhet e famshme mund të kenë edhe ndikim pozitiv. Kur ata promovojnë vlera si respekti, solidariteti, puna e palodhur apo vetëpranimi, adoleshentët ndikohen pozitivisht dhe këto vlera reflektohen edhe në marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve, duke krijuar komunikim më të shëndetshëm dhe bashkëpunim më të madh.